Për të shënuar këtë ditë, FSUNK ka organizuar në Prishtinë dhe në Pejë gara në disiplina të ndryshme, si: Futsall (Femra dhe Meshkuj) , Basketboll 3 x 3 (Femra dhe Meshkuj), Mixed Beach – Volleyball , si dhe Ping Pong (Femra dhe Meshkuj.
Ceremoninë solemne të kësaj ngjarjeje e hapi presidenti i Federatës së Sportit Universitar të Kosovës, prof. Musa Selimi, i cili uroi të gjithë sportdashësit për këtë ditë. Ai foli para të pranishmëve për rëndësinë e sportit tek studentët, ndërkaq informoi edhe për sukseset e shumta që FSUNK ka shënuar në këto pak vite ekzistencë, me theks të veçantë, për ato të shënuara në arenën ndërkombëtare.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Marjan Dema. Ai uroi sportdashësit për këtë ditë të rëndësishme për sportin, ndërkaq, në veçanti uroi studentët e UP-së, të cilët edhe i përgëzoi për paraqitjet dinjitoze në gara ndërkombëtare.
Ditën Ndërkombëtare të Sportit Universitar e uruan me anë të video-mesazheve edhe presidentët e dy federatave kryesore të sportit universitar: Oleg Matytsin, president i Federatës Ndërkombëtare të Sportit Universitar, si dhe z. Adam Roczek, president i Federatës Evropiane të Sportit Universitar.
Presidenti Roczek, në mesazhin e tij, ndër të tjerash, përgëzoi dekanin Selimi për organizimin e suksesshëm të këtij aktiviteti.
Ditën Ndërkombëtare të Sportit Universitar e uruan edhe përfaqësues nga departamenti i Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe përfaqësues nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK).
Ceremonia solemne u mbyll me fjalimet e studentëve pjesëmarrës në Kampionatin Evropian të Universiteteve në Sporte Luftarake (EUSA Combat), i cili u mbajt në Zagreb të Kroacisë në gusht të këtij viti, të cilët treguan para të pranishmëve për eksperiencën e tyre në këtë garë. Studentët, të cilët në këtë kampionat morën medalje të bronztë, rektori Dema dhe presidenti Selimi i shpërblyen me mirënjohje për përfaqësim dinjitoz.
Të pranishëm në këtë event ishin edhe kryetarë të federatave sportive në vend, si dhe figura të tjera rëndësishme të sportit.
Pas lojërave të studentëve në disiplina të ndryshme, u mbajt ndeshje miqësore në futsall, ndërmjet stafit të FSUNK-së dhe KOK-ut.
Vlen të përmendet se sot, në mbarë botën, është festuar “Dita Ndërkombëtare e Sportit Universitar” nën moton “Let’s IDUS”. Po ashtu, aktivitetet e organizuara në shënimin e kësaj dite, janë mbështetur drejtpërsëdrejti nga FISU.