FSUNK

Përveç pasionit për sport, ata kanë pasion edhe punën vullnetare, sidomos kur bëhet fjalë për aktivitetet kulturore. Rreth 120 studentë nga qytete të ndryshme të Kosovës janë bërë bashkë që të kontribuojnë në organizimin e njërit prej eventeve më të mëdha në fushën e sportit: FISU Kupa Botërore Universitare në Hendboll 2022.

Mbi të gjitha, këta të rinj angazhimin në këtë event e shohin si mision kombëtar, sepse sipas tyre, ata dëshirojnë që Kosova, si nikoqire e këtij eventi, të prezantohen në mënyrën më të mirë të mundshme në arenën ndërkombëtare. Kjo për shkak se pjesë e Kupës do të jenë mbi 20 universitete nga vende të ndryshme të botës.

Njëri nga shumë vullnetarët e Kupës së organizuar nga FISU dhe FSUNK (Federata e Sporteve Universitare të Kosovës), Bleart Fetahu, fton të gjithë të rinjtë t’i shijojnë ndeshjet e këtij eventi, sepse sipas tij, është mundësi që ndoshta të vjen një herë në jetë.

“Kam vendosur të jem pjesë e FISU – Kupës Botërore Universitare të Hendbollit për ta bërë të pamundurën të mundur, duke prezantuar vetën dhe popullin shqiptar në mënyrën më të mirë të mundshme. Vullnetarisht do të realizoj fotografi, video, përmes së cilave synoj të pasqyroj sa më mirë se kush është Kosova dhe cili është kapaciteti ynë”, thotë Blearti.

Vullnetarja tjetër, Bleona Alija, do të kujdeset për pjesëmarrësit në rast të një lëndimi eventual.

“Jam ndjerë shumë e emocionuar dhe njëkohësisht krenare qe eventi mbahet në vendin tim. Mikpritja e gjithë atyre talenteve nga vendet e ndryshme po ashtu edhe vetë ekipeve tona vendore është një ndjenjë interesante, pasi do të kemi mundësinë të njihemi me kultura nga më të ndryshme”, ka thënë Bleona.

Të dy ftojnë të rinjtë që të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje, duke festuar së bashku, siç thërret edhe motoja “Hands UP and Celebrate”!

Aktivitetet e Kupës do të mbahen nga data 11 korrik deri më 17 korrik në Prishtinë.

6 Korrik, 2022
Tags: ,