Në zyrat qendrore të FISU-së në Zvicër, anëtari i Bordit Drejtues të FSUNK-së, njëherësh drejtori ekzekutiv i WUC2022, Musa Selimi, u prit në takim nga presidenti i Federatës Botërore të Sporteve Universitare – FISU, Leonz Eder.
Selimi pati rastin që të informoj presidentin Eder me procesin e organizimit të WUC2022 dhe njëherësh e falënderoi FISU-në për besimin dhe mbështetjen që i kanë dhënë FSUNK-së dhe shtetit të Kosovës në promovimin e sportit universitar, por edhe me dhënien e përgjegjësisë për organizimin e një kampionati të nivelit botëror.
Gjatë këtij takimi, presidenti Eder përgëzoi Selimin për avancimin që ka bërë FSUNK-ja dhe konfirmoni edhe një herë mbështetjen e FISU-së për promovimin e sportit universitar, me këtë ngjarje të madhe të hendbollit, por edhe aktivitete të tjera në të ardhmen.
Në korrik të 2022-tës, Kosova do të jetë nikoqirja e njërës ndër ngjarjeve më të mëdha sportive të organizuara ndonjëherë në vendin tonë. Kupa Botërore në Hendboll për Universitete, e cila organizohet nga FSUNK-ja, nën kulmin e Federatës Botërore të Sporteve Universitare (FISU), do të sjellë në Prishtinë studentë sportistë nga e gjithë bota, me rreth 28 ekipe universitare ndërkombëtare, në dy konkurrencat, të cilët do të garojnë për më të mirin e botës për universitete në sportin e hendbollit.