“Një komb, një kampionat” ishte moto që sot Federata e Sportit Universitar e Kosovës dhe Federata Shqiptare e Sportit Universitar lansuan në ditën kur u bë edhe nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet tyre.
Në ambientet e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, presidenti i FSUNK-së, Musa Selimi dhe ai i FSHSU-së, Besnik Veliu nënshkruan protokollin e bashkëpunimit, duke e konsideruar këtë ditë historike për të dyja federatat, si dhe për sportin shqiptar.
I lumtur për nënshkrimin e këtij memorandumi u shpreh presidenti Selimi, i cili theksoi që bashkëpunimi ndërmjet federatave nuk ka munguar as në të kaluarën.
“Ne se bashku kemi organizuar shumë aktivitete, por me anë të këtij memorandumi synojmë që të i intensifikojmë ato, si dhe të organizojmë ndër tjerash edhe kampionatin e përbashkët mbarëshqiptarë – një komb, një kampionat universitar” theksoi Selimi.
Ai shtoi që FSUNK-ja, ndonëse federatë e re, ka arritur të shënoj shumë suksese, duke theksuar në veçanti lansimin e Ligave Universitare, si i fundit aktivitet i rëndësisë së lartë për sportin universitar.
Edhe Veliu iu gëzua këtij takimi dhe nënshkrimit të këtij memorandumi, duke theksuar që këto dy federata se shpejti do të jenë edhe nikoqire të dy kampionateve botërore për sporte universitare, suksese të cilat sipas tij dëshmojnë për vullnetin dhe punën e tyre.
“Kjo marrëveshje është historike për integrimin e studentëve në sportin universitar, si dhe e rëndësishme për ndërgjegjësimin e institucioneve respektive në këtë fushë” theksoi Veliu.
Presidentët e federatave, në këtë takim të përbashkët, u shoqëruan nga anëtarët e bordeve drejtuese, sekretarët e përgjithshëm, si dhe stafi administrativ i federatave.
Sipas marrëveshjes, federatat do të bashkëpunojnë për organizimin e veprimtarive të përbashkëta sportive studentore të arsimit të lartë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, me vëmendje të veçantë në kampionatet kombëtare universitare.
Palët nënshkruese synojnë ndër të tjerash që të bashkëpunojnë në organizimin dhe realizimin e programeve me qëllim zgjerimin dhe masivizimin e aktivitetit fizik në mesin e studentëve, si dhe evidentimin e talenteve të rinj, si garanci për progresin fizik dhe intelektual të rinisë, me këtë rast, edhe rritjen e mirëqenies së shoqërisë.