FSUNK

Në ambientet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u bë sot nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Federatës së Sporteve Universitare të Kosovës dhe MKRS-së.

Nënshkrimin e këtij memorandumi e bënë presidenti i FSUNK-së, z. Musa Selimi, si dhe ministrja e MKRS-së, znj. Vlora Dumoshi.

Presidenti Selimi u shpreh i lumtur që FSUNK-ja po arrin të shënoj suksese të mëdha, nga viti në vit, duke ecur përpara drejt misionit për promovimin e sportit në universitete.
“Falë punës së suksesshme që federata ka bërë në vitin që lamë pas, ne sot kemi nënshkruar marrëveshje me buxhet të dyfishuar. Për këtë, falënderoj të gjithë akterët të cilët kanë qenë dhe janë në vazhdimësi pjesë e këtij rrugëtimi” theksoi presidenti Selimi.

Në anën tjetër, ministrja Dumoshi tha që sporti dhe federatat do të kenë kujdesin dhe vëmendjen maksimale të ministres dhe MKRS-së.
“Në këtë kohë të vështirë pandemie, që po kalon vendi dhe gjithë bota, jam e vetëdijshme që edhe federatat në vendin tonë po kalojnë një fazë të vështirë dhe ne si MKRS jemi maksimalisht të angazhuar që t’ju ndihmojmë për të lehtësuar barrën me të cilën përballeni secila federatë” tha Dumoshi.

Marrëveshja në fjalë ka si qëllim përkrahjen financiare për federatën, për të realizuar objektivat dhe synimet e planifikuara për këtë vit.

Aktualisht, si rrjedhojë e kufizimeve të vëna për shkak të pandemisë COVID-19, FSUNK-ja ka pezulluar aktivitetet e saj, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të sportisteve dhe të shoqërisë.

23 Prill, 2020