FSUNK
Federata e Sporteve Universitare e Kosovës, e përfaqësuar nga presidentja, znj. Diellza Shaqiri-Kelmendi, ka nënshkruar sot memorandum të bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Në një takim të zhvilluar në ambientet e MKRS-së, presidentja Shaiqiri – Kelmendi dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku nënshkruan këtë dokument i cili formalizon bashkëpunimin ndërmjet palëve.
Në takim e pranishme ishte edhe zëvendësministrja, znj. Daulina Osmani e cila specifikoi se federatat me të cilat MKRS-ja ka nënshkruar sot memorandume të bashkëpunimit, përfshirë këtu FSUNK-në, e të cilat kanë norma olimpike, do të mbështeten përtej bazës së memorandumeve të nënshkruara sot.
Me anë të këtij memorandumi, FSUNK-ja përfiton mbështetje financiare. Sipas konditave të marrëveshjes, FSUNK-ja në këtë fazë do të pranojë gjysmën e vlerës së memorandumit, ndërsa pagesat tjera do të procedohen në tremujorin e tretë dhe të katërt.
Marrëveshja me MKRS-në, dhe të tjerat të nënshkruara nga kryesia e Federatës, synojnë sigurimin e mbështetjes së nevojshme për promovimin e sportit universitar në mesin e studentëve.
 
11 Maj, 2021