FSUNK

Federata e Sporteve Universitare e Kosovës ka inauguruar sot Ligat Universitare në futsal (M), volejboll (F) dhe ping-pong (F & M).

I lumtur për realizimin e suksesshëm të kësaj iniciative të FSUNK-së u shpreh presidenti i Federatës, z. Musa Selimi, i cili i përgëzoi studentët për hapin që kanë marrë duke u bërë pjesë e këtyre ligave.

“Ndonëse federate e re, federata jonë po shënon suksese dhe po radhit çdo ditë iniciativa të mëdha. Në këtë ceremoni inauguruese duhet të theksoj që federata jone ka marrë përsipër edhe organizimin e Kampionatit Botëror Universitar në Hendboll, 2022, duke shënuar kështu hapa gjigandë në arenën ndërkombëtare” theksoi presidenti Selimi.

Këtë arritje të sportit universitar e uroi edhe i pari i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Marjan Dema, i cili premtoi mbështetjen e UP-së për studentët sportistë.
“Jam i lumtur që sot po marr pjesë në ceremoninë hapëse të ligave universitare. Federata e Sporteve Universitare e Kosovës, ndonëse federatë e re, ka bërë punë të madhe në promovimin e sportit universitar në vendin tonë. Ligat universitare janë një hap i rëndësishëm në këtë drejtim,” tha Dema.

Inaugurimin e ligave universitare e përshëndeti edhe zëvendësministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Ismet Beqiri, i cili krijimin e ligave universitare e konsideroi si një sukses dhe hap të madh drejt avancimit të sportit universitar. Ndërkaq, Shasivar Haxhijaj, sekretar i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, tha se shpreson që shembullin e FSUNK-së dhe sportit universitar ta ndjekin edhe niveli i shkollimit të mesëm dhe ai fillor, duke krijuar liga edhe në kuadrin e tyre.

Lojërat e para të ligave universitare janë zhvilluar sot. Pjesëmarrës në këto liga janë ekipet nga universitetet anëtare të FSUNK-së.

Shkarko fotografitë.

5 Mars, 2020
sqAlbanian
en_GBEnglish sqAlbanian