Studentët sportistë dhe anëtarë të stafit akademik dhe administrativ nga Kosova dhe Shqipëria e takuan sot në Prizren, për të garuar për trofetë e Ditës së Flamurit.
Me Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren si nikoqir, kjo universiadë solli në Prizrenin historik lojërat në shah, ping-pong dhe futsall.
Hapjen e Universiadës e përshëndetën presidenti i FSUNK-së, Musa Selimi, rektori i Universitetit “Ukshin Hoti”, Mentor Alishani, presidenti i Federatës së Sportit Universitar të Shqipërisë, Besnik Veliu, si dhe anëtari i kryesisë së Federatës së Shahut të Kosovës, Valmor Bardhi.
Universiada u mbyll me dhënien e shpërblimeve për fituesit e garave.
Falë bashkëpunimit të ngushtë të federatave të sportit universitar të Kosovës dhe Shqipërisë, tani e disa vite organizohen aktivitete sportive për shënim të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit.