Për të diskutuar rreth iniciativave të reja në promovim të sportit universitar dhe hapave ekzekutiv që duhet të ndërmerren, Bordi Drejtues i FSUNK-së mbajti sot mbledhjen e radhës.
Me votim unanim, anëtarët drejtues votuan për ushtrues detyre të presidentit të FSUNK-së, Gani Ibrahimin. Ibrahimi ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për Federatën e Sporteve Universitare që nga themelimi i saj. Ai ka afro dy dekada angazhim në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit të Universitetit të Prishtinës, ku ushtron detyrën e sekretarit të njësisë akademike.
Njëherësh, gjatë karrierës së tij, Ibrahimi ka dhënë kontribut të shquar në aspektin ligjor edhe në federata të tjera sportive në vend.
Pas dhënies së besimit nga anëtarët e bordit për të ushtruar detyrën e presidentit të FSUNK-së, Ibrahimi u zotua që do të punojë me të gjithë anëtarët e FSUNK-së dhe partnerët tanë drejt realizimit të misionit të federatës dhe për krijimin e mundësive të reja për promovim të sportit tek studentët.
Votimi i Gani Ibrahimit për drejtues të FSUNK-së u bë pas miratimit të dorëheqjes së dhënë nga kryetarja e gjertanishme, Diellza Shaqiri – Kelmendi, si dhe anëtarëve të dorëhequr të bordit, Muhamed Krasniqit dhe Abedin Bahtirit. Për kontributin e dhënë, Bordi Drejtues ka falënderuar të dorëhequrit nga kryesia e FSUNK-së.
Bordi Drejtues ka diskutuar edhe për progresin e gjertanishëm në organizimin e Kampionatit Botëror Universitar në Hendboll, i cili do të mbahet në korrik të 2022-tës, si dhe për aktivitetet e tjera që do të pasojnë javët në vijim.