FSUNK

Kupa Botërore Universitare në Hendboll e organizuar nga Federata e Sporteve Universitare të Kosovës mblodhi në Prishtinë rreth 300 studentë-hendbollistë nga e mbarë bota.

Studentët, pjesa dërrmuese e të cilëve është hera e parë e kanë vizituar Kosovën, mbetën të mahnitur me organizimin.

Daniella Millotova, studente nga Universiteti Palacky në Olomuc, Republika Çeke, tha që e ka shijuar jashtëzakonisht shumë këtë javë në Prishtinë.
“Ndeshjet ishin të jashtëzakonshme. Jam e lumtur që kemi pas disa ditë për të vizituar edhe Kosovën. Kam qëndruar shumë tek Biblioteka Kombëtare dhe i kam vizituar po ashtu bibliotekat e tjera” ka theksuar Daniella, ekip i të cilës ka përfunduar i katërti në rangim, pasi është mposhtur nga Universiteti i Prishtinës.

 

Hendbollistët nikoqirë të këtij eventi thonë se janë krenarë që për herë të parë është organizuar kjo ngjarje e madhe sportive në Kosovë. Jon Muqolli tha se kjo do të mbetet përvojë e paharrueshme.
 “Prej fillimit ndeshjet kanë qenë fantastike, por finalja ishte më e mira. Organizimi ka qenë perfekt, do të jetë përvojë e paharrueshme. Jam krenar që jam shtetas i një vendi që organizon Kupë Botërore”, tha Muqolli.

 

Ndërkaq, Kim Sunghwe nga Universiteti Kombëtar i Kangwon-it, foli në veçanti për ndeshjen finale, ku theksoi qe ndeshja finale ka qenë e veshtirë edhe për shkak të lëndimeve që kanë pasur lojtarët. “Jam i lumtur që vajzat koreane kanë fituar. Në Kosovë, njerëzit ishin shumë të sjellshëm, të gatshëm për të ofruar ndihmë edhe pa kërkuar”, theksoi Sunghwe.

Kupa Botërore Universitare e Hendbollit u zhvillua në Prishtinë në periudhën 11-17 korrik 2022. 14 ekipe universitare garuan për të parët në botë në sportin e hendbollit. Vendet e para në këtë kompeticion i takuan Universitetit të Prishtinës (M) dhe Universitetit Kombëtar Korean të Sportit (F).  

20 Korrik, 2022