FSUNK

Në sallën “1 Tetori” në Prishtinë sot u shënua hapja zyrtare e Ligës Universitare, të organizuar nga Federata e Sportit Universitar të Kosovës.

Liga Universitare është ngjarja e cila bashkon studentët nga i gjithë vendi, për të garuar në disiplinat, si: futsall, basketboll 3×3, pingpong dhe volejboll.

Hapjen e Ligës Universitare e beri u.d. kryetari i FSUNK-së, Gani Ibrahimi, i cili falënderoj përkrahësit e këtij aktiviteti dhe uroj që studentët të kenë rrugëtim unik dhe përvojë interesante gjatë këtyre muajve.

Ndërkaq, drejtori i kompanisë Al-Trade Center, Sokol Gashani, njëherësh sponsor gjeneral i Ligës Universitare, premtoi mbështetje maksimale në organizimin e aktiviteteve të tilla edhe në vazhdimësi. “Viteve të fundit sportistët janë ambasadorët më të dinjitetshëm që e kanë ngritur Kosovën lartë. Përmes atyre, ne kemi marrë titujt më të lartë ndërkombëtarë.”, theksoi Gashani.

Fjalë rasti në këtë ngjarje, për të pranishmit, adresuan edhe kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi dhe drejtori për sport në Komunën e Prishtinës, Granit Rugova. Të dy palët premtuan mbështetjen e tyre në masovizimin e sportit në Kosovë, si dhe përgëzuan FSUNK-në për organizimin e këtij aktiviteti.

Nisja e Ligës Universitare u përshëndet edhe nga përfaqësuesit e Universitetit të Prishtinës. Prorektori për kërkime shkencore, Kurtesh Sherifi përgëzoi FSUNK-në për fillimin e këtij aktiviteti, ku ndër të tjera tha se këto Liga do të kontribuojnë në avansimin e sportit tek studentët.  Ndërkaq, dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, Musa Selimi, tha që Liga Universitare është një aktivitet shumë i rëndësishëm për studentët e FEFS-it, të cilët përmes saj mund të shfaqin vlerat e tyre dhe të prezantojnë UP-në.

Në fund të ceremonisë, studentët dhe të pranishmit e tjerë, iu bashkuan kampanjës së organizatës ndërkombëtare “Peace and Sport”, në shënimin e 6 prillit – Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe, duke ngritur lartë letra të bardha.

Liga Universitare mbledhë studentët kosovarë në gara të ndryshme, për të fituar titullin e të parit në mesin e universiteteve dhe kolegjeve vendore. Sivjet, Liga sponsorizohet nga Al – Trade Center.

 

FSUNK.

7 Prill, 2022

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.