FSUNK

Sot Federata e Sporteve Universitare e Kosovës (FSUNK) dhe Federata Shqiptare e Sportit Universitar (FSHSU), kanë shënuar Ditën Ndërkombëtare të Sportit Universitar (IDUS), me konferencë ndërkombëtare, gjatë së cilës u diskutua në veçanti për rolin e pandemisë COVID-19 në sport.

Punimet e konferencës i hapi z. Musa Selimi, i cili i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre, si dhe theksoi që FSUNK-ja do të realizojë të gjitha objektivat e parapara, sepse kjo Federatë ndjen përgjegjësi ndaj rinisë.
“Jam i bindur që përkundër pandemisë, Federata jonë do të realizojë të gjitha objektivat dhe programet e parapara, përkundër vështirësive që janë shfaqur nga pandemia. Prandaj, uroj që kjo konferencë të sjellë konkluzione të posaçme se si të veprojmë, teksa ruajmë shëndetin e studentëve tanë” theksoj Selimi, i cili u uroi këtë ditë të gjithë të pranishmëve dhe studentëve sportistë kudo.

Në anën tjetër, z. Besnik Veliu, president i FSHSU-së, theksoi që në këtë ditë kur IDUS festohet nga gjithë familja botërore e sportit universitar, dy federatat shqiptare bashkohen në Prishtinë për këtë aktivitet.
“Dy federatat, edhe në këtë situatë të krijuar si pasojë e pandemisë, kanë luajtur rolin e tyre në praktikimin dhe promovimin e sportit universitar, përmes platformave online dhe aktiviteteve të mbajtura në Durrës, Tiranë dhe Prishtinë” tha Veliu.

Edhe U.D. presidentja e FSUNK-së, Diellza Shaqiri – Kelmendi, ka përshëndetur të pranishmit në këtë event shkencor dhe sportiv, duke uruar që IDUS në të ardhmen të festohet në rrethana më të mira shëndetësore.

Shënimin e IDUS-it e përshëndeten edhe rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, sekretari i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Iber Alaj, si dhe përmes një video-mesazhi edhe presidenti i FISU-së, z. Oleg Matytsin.

Pas fjalëve përshëndetëse, konferenca ka pasuar me panelet e diskutimit të organizuara me panelistë eminentë në fushat përkatëse. Në panelin e parë u trajtua ndikimi i pandemisë COVID-19 në shëndetin mental të studentëve, ku folës ishin prof. Dashamir Bërxulli dhe prof. Bekim Haxhiu. Më pastaj vijuan sesionet e tjera, ku u fol rreth organizimit të ligave universitare, pjesëmarrjes në aktiviteteve ndërkombëtare, marrëveshjes së FSUNK-së dhe FSHSU-së, si dhe detajet paraprirëse të organizimeve të kampionateve botërore në futboll dhe hendboll, të cilat do te organizohen gjatë 2022-tës.

Për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Sportit Universitar, FSUNK-ja ditë më parë, së bashku me studentë të universiteteve të ndryshme brenda vendit, kanë organizuar ngjitje në Majën e Lubotenit.
Organizimi i IDUS-it tashmë është shndërruar në traditë të FSUNK-së, që nga anëtarësimi në FISU vite me parë.

 

20 Shtator, 2020

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.