
Në kuadër të fushatës evropiane #BeActive – Java Evropiane e Sportit, Federata e Sporteve Universitare të Kosovës (FSUNK), në bashkëpunim me Federatën e Padelit të Kosovës, organizoi aktivitete sportive me pjesëmarrjen e studentëve nga institucione të ndryshme të arsimit të lartë.
Në një atmosferë miqësore dhe motivuese, studentët garuan në aktivitete padeli duke promovuar mesazhin e rëndësishëm për një jetë aktive dhe të shëndetshme përmes sportit.
Gjatë zhvillimit të garave, u theksua rëndësia e promovimit të sportit të padelit në mesin e studentëve, si një disiplinë e re dhe në rritje në Kosovë.
Në këtë drejtim, FSUNK dhe Federata e Padelit të Kosovës njoftuan se nga viti i ardhshëm do të nisë Liga Studentore e Padelit, një iniciativë e re që synon të zgjerojë mundësitë për përfshirjen e studentëve në sportet universitare dhe të forcojë rrjetin sportiv akademik në vend.


 
          