Dita e dytë e garave në Kampionatin Evropian për sporte luftarake në Zagreb sjell medalen e dytë për sportistët tanë. Pas medales së bronztë ekipore, karatistët kanë vazhduar me suksese edhe ditën e dytë. Benjamin Shabani, ka arritur të fitojë medalen e bronztë në garat individuale për peshat 75kg, në garën ku po marrin pjesë 1300 sportistë, 404 Universitete nga 36 shtete të Evropës.
Benjamin Shabani në peshat 75kg ka patur një ditë shumë të ngjeshur me gara të cilën e ka përmbyllur me sukses. Në rundin e parë e ka mundur turkun Umut Serkan Tuç, pastaj britanezin Bleu Parris pas kohës shtesë, pasi në kohë të rregullt rezultati ishte 2:2. Në çerekfinale, e ka mundur bindshëm me 8:0 gjermanin Robin Jolitz. Në gjysmëfinale është mundur nga boshnjaku Mensur Xhoziq me 1:3. Në meçin për vendin e tretë, Shabani e ka mundur një tjetër francez Ossama Kharbou me 5:0.
Paraqitje shumë të mirë pati edhe Valdrin Rashiti në peshat deri 67kg, fitoi në rundin e parë ndaj Jess Rosiello nga Belgjika pas kohës shtesë (koha e rregullt 1:1), në rundin e dytë e mundi italianin Francesco Pinto me 3:0, kurse në rundin e tretë u mund nga Jordan Neves nga Luxemburgu me 3:0.
Sot është paraqitur edhe Dren Hajdari për peshat 60 kg, ku ka shënuar një fitore kundër karatistit francez, Anujan Balendrakumar me 1:0, kurse në xhiron e dytë është eliminuar nga përfaqësuesi i Portugalisë, Joao Xavier.
Ndërkaq Elona Kolgeci, në rundin e parë është eliminuar nga turkja Zeynep Kökbiber me 3:1.