FSUNK
Besim Aliti është emëruar sekretar i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës. Vendimi është marrë në mbledhjen e katërt të Bordit Ekzekutiv (BE) të KOK-ut, të mbajtur mbrëmë në Hotel Sirius në Prishtinë.
Pas propozimit të bërë nga presidenti Ismet Krasniqi, Aliti me vendim unanim të BE u emërua sekretar i përgjithshëm i KOK-ut.
Deri më tani, Aliti, njohës i pesë gjuhëve të huaja, ishte këshilltar i presidentit Krasniqi.
Ai ka një karrierë të pasur profesionale në sport. Ka qenë menaxher në Asociacionin Evropian të Sportit Universitar (EUSA). Ka punuar në organizimin e shumë ngjarjeve ndërkombëtare si: Lojërat Evropiane Baku 2015, FIBA Evropianin e basketbollit 2015, Lojërat Evropiane Universitare 2016, Lojërat Islamike Baku 2017, si dhe ka qenë drejtor ekzekutiv i Kampionatit Evropian në Karate, të mbajtur gjatë këtij viti në Poreç të Kroacisë. Në vitin 2014 ishte koordinator i Ditës Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe në Zagreb të Kroacisë, si dhe pjesëmarrës i EUSA-s në ceremoninë e ndarjes së çmimeve nga Universiteti i Sportit të Kroacisë (2016/2017).
Ka kryer Fakultetit e Sportit në Zagreb dhe Masterin në fushën e menaxhmentit të sportit në Zagreb dhe Madrid. Është PhD. kandidat në Fakultetin Ekonomik, i cili zhvillohet në Osijek dhe Vjenë. Gjithashtu, është i licencuar si profesionist i menaxhimit të projekteve nga Kolegji i Teknologjisë “Alfred State” me seli në New York. Po ashtu, është edhe bursist i Akademisë Olimpike Ndërkombëtare në Athinë, Greqi dhe i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Kroaci.
Besim Aliti është ekspert ligjërues i jashtëm në Univerzitetin e Zagrebit (menaxhimi sportiv) dhe ka ligjëruar në shumë Univerzitete dhe forume ndërkombëtare në Malaga, Beograd, Pragë, Romë, etj, përfshirë edhe ligjërimet në Kurset për Menaxhimin e Avancuar Sportiv (ASMC 1 dhe 2), të organizuara nga KOK-u.
Gjatë karrierës së tij si sportist, Besim Aliti ka qenë karateist profesionist, ndërsa gjatë viteve 2010 – 2013 ka përfaqësuar edhe Kombëtaren e Kroacisë në karate.
2 Shtator, 2021
Tags: ,